Osmani pas takimit me Stoltenberg: Kosova i zbatoi marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes

PUBLIKUAR

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla kanë zhvilluar takim me sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg.

Në këtë takim, e para e shtetit theksoi se synim themelor i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO.

“Anëtarësimi është i rëndësishëm për ta siguruar paqen në rajon, por edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta”, tha presidentja.

Gjatë takimit me të, Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit me NATO-n, i cili nënkupton përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

“Qëllimi ynë është të bëhemi pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë, duke kontribuar për paqen”, tha ajo.

Forca e Sigurisë e Kosovës, tha presidentja Osmani, është forcë profesionale, e përgatitur në përputhje me standardet e NATO-s, e cila do t’i mundësojë Kosovës të bëhet forcë aktive në kuadrin e sigurisë rajonale dhe globale.

“Ne jemi krenarë që ushtarët tanë po marrin pjesë së bashku me ushtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së në një mision të përbashkët ushtarak në Kuvajt. Ky mision, i pari i këtij lloji për Kosovën, është dëshmi e gatishmërisë sonë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale” tha presidentja Osmani.

Osmani e informoi sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë. Ajo theksoi se Republika e Kosovës i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe i dënoi kërcënimet dhe veprimet e Serbisë dhe të strukturave ilegale të saj në Kosovë.

Sekretari i NATO–s, Jens Stoltenberg, e falënderoi Kosovën për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë bashkëpunëtorë të NATO-s dhe e vlerësoi veprimin e saj si shembull të bashkëpunimit dhe të koordinimit me aleatët.

Tutje, Osmani theksoi se vendimi i Kosovës ishte në përputhje me orientimin gjeostrategjik dhe reflektim i vlerave të përbashkëta të të drejtave të njeriut, thuhet në njoftimin e presidencës.

SHIKO MË SHUMË

Apeli vërteton vendimin me burg përjetë për Naim Murselin dhe Granit Plavën

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit...

Dyshohet se ushtroi dhunë ndaj gruas dhe sulmoi me thikë axhën e saj, paraburgim për burrin nga Gjakova

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj një të dyshuari, me...

Moti sot me vranësira dhe reshje shiu, në zonat malore pritet edhe borë

Moti në Kosovë gjatë ditës së sotme pritet të jetë kryesisht i vranët dhe...