Opozita thotë se “zullumi qeveritar përballet me mllefin qytetar”

PUBLIKUAR

Protesta e thirrur nga Opozita e Bashkuar, u bë një protestë gjithëqytetare. Pjesëmarrja e qytetarëve ishte masive si kurrë më parë. Opozita falënderon dhe shpreh mirënjohje për të gjithë qytetarët, anëtarët e simpatizantët e subjekteve opozitare për pjesëmarrjen e tyre në këtë protestë, thuhet në një kumtesë të nënshkruar nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, që është postuar në profilin zyrtar të VV-së në Facebook.

“Para disa ditësh Isa Mustafa tha se do ta zbatojë “Zajednicën” pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se opozita nuk ka mbështetje dhe se nuk po i dalin njerëzit në protesta.

Sot, qytetarët ia dhanë përgjigjen qeverisë Mustafa, duke dalë në protestën më të madhe të zhvilluar në Kosovë që prej pasluftës. Rreth 100.000 pjesëmarrës i kanë mbushur rrugët dhe sheshet e Prishtinës, të ardhur nga gjithë qytetet e fshatrat e Kosovës, si dhe nga vise të tjera nga trojet shqiptare dhe nga diaspora.

Organizimi i protestës ka qenë tepër korrekt. Siç u tha edhe në tubimin e sotëm, protestuesit vetë shënojnë ardhjen e një kohe të re për Kosovën, e për të gjithë, pa dallim.

Policia që prej orëve të para të ditës në disa raste ka provokuar protestuesit duke ndalur shumë autobusë e duke i penguar qytetarët të vijnë në Prishtinë.

Në përmbyllje të protestës, shumë qytetarë kanë reaguar spontanisht duke protestuar me vendosmëri ndaj ndërtesave qeveritare. Mllefi i qytetarëve që po shprehet në përballje me policinë është rezultat i insistimit të Isa Mustafës për të ruajtur Zajednicën dhe pushtetin e vet personal. Ne shprehim keqardhje për çdo incident, por nënvizojmë se shkaktari kryesor edhe i këtyre incidenteve është mos-reflektimi i qeverisë përballë reagimit kaq të fuqishëm qytetar.

Qeveria duhet ta dijë se pas gjithë zullumeve të saj, duke përfshirë edhe shkeljen e vetë Kushtetutës, është vështirë që qytetarët do të mbeten të qetë. Zemërimi i qytetarëve është i drejtë. Për t’u qetësuar qytetarët, nevojitet dorëheqja e menjëhershme e qeverisë Mustafa.

Askush dhe asgjë nuk mund ta zbehë mesazhin që dhanë qytetarët e Kosovës sot me pjesëmarrjen e tyre masive në protestën e madhështore e paqësore kundër “Zajednicës”, demarkacionit dhe qeverisë antikushtetuese.

Protestat vazhdojnë!

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA për Kosovën”
(sic.), thuhet në kumtesë. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Vendimi i Kushtetueses, afatet për Qeverinë e Presidentin rrjedhin pas afatit 30 ditor për konstituim edhe pa u bërë Kuvendi

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka nxjerrë sot vendim për kërkesën e Partisë...

Cakolli: Zgjedhjet me 8 ose 15 nëntor, Kushtetuesja s’e sqaroi se kush i cakton nëse dështon zgjedhja e Presidentit

Eugen Cakolli nga IKD ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Cakolli ka...

30 mijë fëmijë më pak në listat e shtesave në krahasim me prillin

Për saktësisht 31 mijë e 553 është ulur numri i fëmijëve që marrin shtesa...