Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi të lëshuar për medie bën me dije se policia e Kosovës po i ndalon autobusët me protestues që po vijnë nga e tërë Kosova. Sipas Vetëvendosjes ky është një provokim i rëndë nga ana e Policisë dhe cenim i lirisë së protestës.
Reagimi i plotë i Vetëvendosjes:
Dhjetëra mijëra protestues janë nisur nga e gjithë Kosova. Pjesëmarrja masive e qytetarëve po konfirmohet vazhdimisht nga kontaktet me aktivistët që janë organizatorë të nisjeve me autobusë.
Frika nga masiviteti e ka bërë pushtetin që të mobilizohet për të ndaluar autobusët dhe për të mos lejuar ardhjen e protestuesve.
Deri tash:
– Janë ndaluar autobusët që po vinin nga Kamenica dhe pothuajse gjysma e protestuesve janë detyruar të dalin jashtë dhe të mos udhëtojnë me autobusë.
– Janë ndalur autobusët që po vinin nga Mitrovica dhe policia ka kontrolluar deri në detaje secilin protestues.
– Janë ndalur autobusët që po vinin nga Gjilani dhe policia ka kontrolluar deri në detaje secilin protestues.
– Janë ndalur autobusët që po vinin nga Gjakova dhe policia ka kontrolluar deri në detaje seilin protestues.
– Në Shtime, Policia ka ushtruar presion ndaj vozitësve të autobusëve duke tentuar që t’i largojnë autobusët para se të vijnë protestuesit.
Policia po e provokon situatën. Liria e protestës, e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, po cënohet. Po ashtu liria e medieve dhe e fjalës së lirë po cënohet.
Masiviteti popullor kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit nuk mund të ndalet me metoda policore. Protesta do të jetë madhështore dhe Qeveria do të tërhiqet!


