Pas reshjeve të fundit në Kosovë, edhe një pjesë e fshatit Tërrn në Komunën e Ferizajt, është zhytur në ujë.
Nga afër gjendjen në këtë fshat e ka parë edhe numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa me bashkëpunëtorët e tij . Ai me këtë rast ka theksuar se komuna e Ferizajt do të mundohet në çfarëdo forme t’ju del në ndihmë banorëve të këtij fshati.
“Komisioni komunal për emergjencat nga mbrëmë ka qenë në terren dhe ka vizituar të gjitha vendet që kanë qenë të rrezikuara nga vërshimet, siç janë fshatrat : Kosinë, Tërrn, Lloshkobare, Slivovë, Prelez i Jerlive dhe Prelez i Muhaxherëve. Edhe përkundër masave që ne kemi marr gjatë verës për rregullimin e shtratit të lumejve që kemi bërë, ne kemi llogarit që këtë vit nuk do të kemi vërshime të tilla”, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar se komuna e Ferizajt, është në gjendje mobile së bashku edhe me kompanitë publike si “Pastërtia” dhe” Bifukacioni”, për t’ju dal në ndihmë të gjithë qytetarëve ferizajas.
U bë e ditur se tashmë komisioni komunal për emergjencat, është duke bërë plotësimin e procesverbaleve dhe dëmet e shkaktuara nga vërshimet do të kompensohen nga ana e komunës së Ferizajt.
Ky fshat për çdo vit ballafaqohet me të njëjtin problem. Bëhet e ditur se me ndaljen e reshjeve të shiut, uji në këtë fshat tashmë ka filluar edhe të shpërndahet.


