Më shumë se 1000 luftëtarë nga vendet e Ballkanit luftojnë në frontet e Sirisë, Irakut dhe rajone tjera krizash, ndër të cilët edhe shtetas të Maqedonisë, njofton Telegrafi.
Të dhënat nga shërbimet e sigurisë thonë se 69 prej tyre tashmë janë kthyer nga Siria në Maqedoni, 110 vazhdojnë të qëndrojnë në Siri, kurse 25 tashmë janë vrarë.
Ndërkaq, vendet e Evropës perëndimore dhe SHBA-të vazhdojnë të mos e pranojnë propozimin e Maqedonisë për themelimin e një qendre rajonale për kundërterrorizëm në Ballkanin Perëndimor. Më herët kryetari Gjorge Ivanov ka propozuar në asamblenë e përgjithshme të OKB-së themelimin e një qendre të këtillë, duke bërë kështu një dallim në mes të dimenzionit humanitar dhe atij të sigurisë të krizës së refugjatëve. Qendra do të duhej të merej me përcaktimin e rrezikut nga terrorizmi, koordinime operative, bashkëpunime operative të shërbimeve të sigurisë, parandalimin e sulmeve të mundshme, etj.
Mediumet evropiane perëndimore shkruajnë se Maqedonia e Kosova nuk janë treguar aq efikase në përballjen me rrezikun e terrorizmit, kurse Shqipëria ka treguar rezultate mjaft pozitive. ‘’La Stampa’’, për shembull, vë në theks të veçantë numrin e madh të të rekrutuarve shqiptarë në ISIS, duke i konsideruar si potencial i rrezikshëm.
Sipas të gjitha gjasave, mospranimi i planit të BE-së për pranim të refugjatëve na ana e Maqedonisë duhet të jetë shkaku i mospranimit të planit të kryetarit Ivanov për themelimin e një qendre kundër terrorizmit. Të mos harojmë se nëpër Maqedoni kalojnë deri 4000 refugjat në ditë, përfshirë edhe emigrantë ekonomik nga disa vende afrikane dhe aziatike.
Ndryshe, në videot e publikuara nga ISIS, në mënyrë direkte kërcënohet Shqipëria, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia. /Telegrafi/


