ekretari i Organizatës se Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, thotë se pas shumë kërkesave e shumë vonesave në pagesa të pensioneve qe u takojnë me Ligj veteranëve, kanë kontaktuar Departamentin për Kategoritë e Luftës, në kuadër të Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale.
“Arsyetimi i tyre ishte se kanë mbetur pa mjete. Por, nga të dhënat që i morëm del kjo: 9429 veteranë janë paguar për tre muaj, ndërsa 3913 janë paguar për 1 muaj, ndërkohë ne kemi ende shumë veteranë që nuk u janë paguar pensionet për asnjë muaj”, ka thënë Klinaku për Telegrafin.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës i ka ndarë tetë milionë euro për pagesa te pensioneve, ndërsa është dashur të ndahen edhe 10 milionë tjera nga buxheti prej 18-milionësh që ka mbetur për këtë çështje.
“Por, në vend se t’i ndajnë mjetet tjera, ata janë duke u tallur me veteranët, sepse as mjetet prej tetë milionëve nuk janë shfrytëzuar. Në bazë të përllogaritjeve që i kemi bërë, na del se nuk janë shfrytëzuar as 5.5 milionë euro, teksa nga Departamenti na thonë se kanë ngelur pa mjete”, shton Klinaku, i cili thekson se ka kërkuar takim me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, takim ky që ende nuk po realizohet.
“Siç po shihet, për shkak të joseriozitetit të tyre, do të detyrohemi që pas festave të fundvitit të demonstrojmë për këto shkelje”, ka thënë Klinaku. /Telegrafi/


