Meta: Palët janë pajtuar të rivendosin dialogun, të cilin do ta ndërmjetësojë Jahjaga (Video)

PUBLIKUAR

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta vlerëson se ka arritur t’i bindë liderët e partive opozitare që të ulen në tryezë dhe të dialogojnë me përfaqësuesit e Kuvendit dhe të Qeverisë për gjetjen e një zgjidhjeje për dalje nga kriza politike.

Gjatë qëndrimit të tij prej 24 orëve në Prishtinë, kryeparlamentari shqiptar, i shoqëruar nga ambasadori Qemajl Minxhozi, takoi kreun e Kuvendit Kadri Veseli, tre liderët e subjekteve politike opozitare, si dhe presidenten e Kosovës. Atifete Jahjaga.

Pas përfundimit të takimeve, Meta tha në një intervistë për Top Channel se është i kënaqur që palët janë pajtuar që të rivendosin dialogun, të cilin sipas Metës është vendosur ta ndërmjetësojë presidentja Atifete Jahjaga.

“Përmes presidentes Jahjaga, ky proces do të lehtësohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Do të prodhojë rezultate të qëndrueshme dhe të pranueshme nga të gjithë”, tha ai.

Meta theksoi se dialogu mes palëve do të nisë shumë shpejt dhe ai pret marrëveshje parimore në kuadër të Kushtetutës së Kosovës.

“Mund të them se shoh një disponim pozitiv të të gjithë faktorëve për të ecur drejt rivendosjes së një dialogu të qëndrueshëm, demokratik dhe gjithëpërfshirës, i cili do të ndihmojë për të kapërcyer mosmarrëveshjet aktuale në një rrugë sa më parimore, kushtetuese dhe institucionale”, u shpreh kreu i Kuvendit të Shqipërisë.

Vullnetin e saj për të rivendosur dialogun mes liderëve të partive politike e ka konfirmuar edhe vetë presidentja Atifete Jahjaga në takim me kryeparlamentarin shqiptar.

Përmes një komunikate për media, Jahjaga ka konfirmuar angazhimin e saj për të krijuar kushtet për dialog politik mes koalicionit qeverisës dhe subjekteve politike opozitare.

Ndërsa gjatë ditës edhe lideri i Nismës për Kosovën, pas takimit me kryeparlamentarin Meta ka konfirmuar gatishmërinë e gjetjes së një zgjidhje përmes dialogut./Top Channel/

SHIKO MË SHUMË

Kusari-Lila në Tiranë: Kosova synon integrim më të madh të produkteve vendore në tregun evropian

Ministrja e MINTI-it, Mimoza Kusari-Lila, sot në Tiranë, me organizim të Ministrisë së Ekonomisë...

220 persona aplikojnë për azil në Kosovë, këta janë shtetasit që prijnë me kërkesa

220 persona kanë aplikuar për azil në Kosovë, që nga janari e deri më...

Sveçla: Gjatë qeverisjes “Kurti 2” u fuqizua siguria dhe u luftua krimi i organizuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se gjatë qeverisjes “Kurti 2”...