Milionat e politikanëve nga prona komunale

PUBLIKUAR

Disa ministra të Qeverisë së Kosovës, ish-kryeministra, zyrtarë të lartë të PDK-së dhe LDK-së, kanë blerë dhjetëra banesa, lokale afariste nga Ndërmarrja Publike Banesore nën çmimin e tregut. Të njëjtat prona në formularët e deklarimit të pasurisë i kanë vlerësuar shumëfish më shtrenjtë

Ish-deputeti i LDK-së, Hashim Deshishku, me të gjithë vëllezërit dhe familjarët e tij ka blerë jo më pak se 23 banesa, lokale dhe garazhe, nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), prona komunale këto të paguara nën vlerën e tregut.

Nuk është vetëm Deshishku që ka blerë patundshmëri nga kjo ndërmarrje. Por, të njëjtën gjë e kanë bërë edhe disa ministra aktualë të Qeverisë së Kosovës dhe disa zyrtarë të lartë të koalicionit (PDK-LDK). Sipas një dokumenti të NPB-së mbi shitjen e patundshmërive, të cilin e posedon gazeta “Zëri”, ish-deputeti Deshishku më 15 dhjetor 2002 ka blerë nga kjo ndërmarrje një banesë me sipërfaqe prej rreth 117 metra katrorë në afërsi të Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, ku metri katror i banesës është paguar 787 euro.

Ndërsa tri garazhe te “Eqrem Çabej” me sipërfaqe prej rreth 75 metra katrorë i ka paguar në atë kohë për më pak se 30 mijë marka gjermane, përkatësisht në periudhën 2000-2001.Ndërsa, gjatë legjislaturës së kaluar kur Deshishku ishte deputet i LDK-së, ky i fundit banesën që në vitin 2002 për rreth 92 mijë euro e kishte vlerësuar hiç më pak se 180 mijë euro, dyfish më shtrenjtë se që e ka blerë.

Edhe garazhet ai i kishte vlerësuar 30 mijë euro, të blera para më shumë se një dekade për 30 mijë marka gjermane. Në vitin 2012, kur ai ishte deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit pasuri të paluajtshme në vlerë prej 6.7 milionë euro dhe 6.5 milionë euro të tjera aksione në kompani të ndryshme. Në listën e blerësve të patundshmërive të NPB-së, përpos Hashim Deshishkut, figurojnë edhe vëllezërit e tij Bekim Deshishku, Bashkim Deshishku, Adem Deshishku, Riza Deshishku, Metush Deshishku, Fahrie Deshishku dhe Hava Deshishku. /Zëri/Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Vdekja e punëtorit në Prishtinë, Smajlaj thotë se kjo tragjedi po përdoret për përplasje politike

Kreshnik Smajlaj, kryetar i degës së AAK-së në Prishtinë ka thënë se ndjen keqardhje...

Dy të rinj arrestohen për rrahjen e një 23-vjeçari mbrëmë në Han të Elezit

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se kanë sulmuar fizikisht...

Plagosja në Prishtinë, policia jep detaje të reja për rastin

Dy persona, të cilët ishin në kërkim policor në lidhje me një rast të...