Sot në sallën e Kuvendit Komunal është mbajtur prezantimi i parë publik për projekt dokumentin – Harta Zonale e Komunës së Lipjanit 2020-2028 dhe Raporti i Vlerësimit Strategjik Mjedisor të HZK, me qytetarët e zonave Urbane “Qendra”, Urbane Perendimore – 1 (ZUP-1), (ZUP-2) dhe (ZUL – 8).
Drejtoresha për Planifikim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, Emina Rexhiq tha se Harta Zonale e Komunës është një dokument mjaft i rëndësishëm dhe ofron informata për qytetarët, se si mund t’i shfrytëzojnë dhe zhvillojnë pronat e tyre, thuhet në njoftim nga Komuna.
“Harta Zonale e Komunës është një dokument multi-sektorial që përmes grafikoneve, fotografive, hartave dhe tekstit përcakton hollësisht llojin, destinimin, shfrytëzimin e planifikuar të hapësirës dhe masat e veprimit të cilat bazohen në kohëzgjatje dhe projeksione të arritshme të investimeve publike dhe private për tërë territorin e Komunës, për një periudhë së paku tetë (8) vjeçare” tha drejtoresha Rexhiq. Ajo po ashtu kërkoi nga të gjithë të pranishmit që kundërshtimet, komentet apo sygjerimet e tyre t’i paraqesin në formë të shkruar gjatë periudhës së shqyrtimit publik deri më 19 tetor 2020, transmeton LipjaniNews.
Projekt dokumenti – Harta Zonale e Komunës u prezantuam me sllajde nga nëpunësja për Planifikim, Hanushe Berisha, e cila së bashku me drejtoreshën e DPUMM-së u përgjigjën pyetjeve të shumta që u shtruan nga pjesëmarrësit në këtë diskutim.
Takimi i radhës do të mbahet më 25 shtator 2020, në sallën e Kuvendit Komunal duke filluar nga orga 11:00, me qytetarët e këtyre zonave: Zona Urbane Lindore ZUL – 2, ZUL – 3, ZUL – 4 dhe ZUL-5.





