Rusia shpëtoi Serbinë

PUBLIKUAR

Kosova nuk ka arritur të bëhet anëtarja më e re e agjencisë kulturore të OKB-së, UNESCO, pasi që i kanë munguar vetëm tri vota në favor të saj. Nga 95 vota për sa duheshin për t’u arritur kuota e 2/3-ve të votave, në favor të anëtarësimit të Kosovës kanë votuar 92 shtete, ndërkohë që kundër ishin 50 vota dhe 29 të tjerë abstenuan.

Përkundër përkrahjes së madhe nga Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia, Kanadaja etj., lobi serb arriti të sigurojë votat e mjaftueshme kundër me ndihmën e Rusisë dhe Kinës. Për pranimin e Kosovës në UNESCO, megjithatë, nuk votuan të gjitha 111 shtetet të cilat e kanë njohur atë, shkruan “Zëri”.

Pranimi eventual i Kosovës në UNESCO do të sillte miliona euro në fonde për kulturën dhe edukimin në Kosovë. Asambleja e përgjithshme e UNESCO-s, mblidhet çdo dy vjet dhe shqyrton plan-programin e saj duke futur këtu edhe anëtarësimet eventuale të reja dhe vetëm atëherë do të jetë rasti i radhës për Kosovën. Liderët kosovarë kanë thënë se askush nuk do të mundë ta ndalë të ardhmen evropiane të Kosovës, derisa aleatët ndërkombëtarë kanë ndarë zhgënjimin me popullin e Kosovës.

Nga ana tjetër, në Serbi kjo është parë si fitore e tyre dhe e aleancës ruse.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se shumica e madhe e shteteve të botës kanë votuar për Kosovën në UNESCO.

Thaçi ka thënë se rruga e Kosovës është e pandalshme drejt anëtarësimit të organizatave të tjera dhe se Kosova do të aplikojë edhe një herë në UNESCO. “Shumica e madhe e shteteve të botës kanë votuar për Kosovën. Fatkeqësisht, për 4 vota nuk fituam shumicën absolute të nevojshme. Për 10 muaj fushatë, si konfidenciale, ashtu edhe të hapur, kemi dhënë maksimumin dhe ç’është me rëndësi edhe qytetarët dhe miqtë e Kosovës dhanë shumë. Rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ne do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi edhe në organizata tjera, përfshirë UNESCO-n edhe një herë”, ka shkruar Thaçi. /Zëri/

 

SHIKO MË SHUMË

Arrestohet në Shtime një person i kërkuar me urdhërarrest aktiv

Më 29.07.2026, rreth orës 22:15, hetuesit e stacionit policor në Shtime, gjatë patrullimit në...

KMDLNj: Punëtorët pa mbrojtje, mungesa e masave mbrojtëse po vazhdon të marrë jetë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka ngritur...

Parlamenti Evropian i bën thirrje Kosovës për reforma dhe institucione funksionale

Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Kosova që të përshpejtojë reformat që lidhen me integrimin...