11 ndeshje, 11 fitore – Bayerni është kampion për herë të gjashtë në histori të UEFA Champions League.
Është mbyllur sezoni i stërzgjatur për shkak të COVID-19 edhe në Champions League. Bayern Munich është kampion për sezonin 2019/20 pasi e mundi në finale Paris Siant Germainin me rezultatin minimal, 1-0.
Golin e vetëm dhe të fitores e shënoi në pjesën e dytë Kingsley Coman, në minutën e 59’.
Bayerni e fitoi këtë trofe për herë të gjashtë në histori, duke i fituar të gjitha takimet – 11 ndeshje, 11 fitore – thjesht ecuri mbresëlënëse, duke shkruar historinë, pasi askush më parë nuk i kishte fituar të gjitha ndeshjet e Champions League.
Natyrisht, pandemia e ka ndihmuar pak a shumë Bayernin për të arritur këtë rekord, pasi për shkak të koronavirusit, ndeshjet eliminuese u luajtën vetëm me një takim, jo si gjithmonë vajtje-ardhje.
Bayerni hyri në mesin e tri klubeve me më së shumti trofe në histori të Champions League, duke barazuar me gjashtë Liverpoolin, derisa e la prapa me pesë Barcelonën. /Gazeta Express/


