Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e ka konfirmuar se Alexis Sanchez do të transferohet në formë permanente në Inter, ku e ka kaluar sezonin 2019/20 si i huazuar.
Alexis Sanchez e ka shijuar një sezon mbresëlënës, përkundër që pati probleme me lëndime, si i huazuar në skuadrën e Antonio Contes. Megjithatë, tani palët janë pajtuar që ky transferim të bëhet permanent, transmeton Gazeta Express.
Në anën tjetër, ish-sulmuesi i Barcelonës s’kishte arritur ta dëshmonte veten gjatë kohës sa ishte me Djajtë e Kuq në Old Trafford, duke i regjistruar vetëm pesë gola në 45 paraqitjet për Unitedin.
Drejtori ekzekutiv i Interit, Giuseppe Marotta, së fundi zbuloi se një marrëveshje për të ardhmen e Sanchezit do të zbulohej të enjten dhe Solskjaer e pranoi se kiliani s’do të kthehet në Old Trafford.
“Ne do ta lajmërojmë nesër, kështu që unë mund ta konfirmoj që jemi pajtuar. Alexis e shijoi kohën e tij atje dhe atyre u ka pëlqyer ai, kështu që është një transferim i mirë për të”, ka thënë Solskjaer.
“Ne ia urojmë atij më të mirat dhe ai është një top lojtar të cilin duam ta shohim në formën e tij më të mirë të mundshme. Nuk e di pse, por ai s’ishte në formën e tij më të mirë këtu. Por, ai është një top profesionist dhe ne ia urojmë më të mirat atje”