Pensionohet Casillas pas 22 vjetëve karrierë

PUBLIKUAR

Iker Casillas e ka zyrtarizuar pensionimin nga karriera e tij si futbollist, që zgjati 22 vjet. Ish-portieri legjendar i Real Madridit po pensionohet në moshën 39-vjeçare, pas një arresti kardiak që e kishte pësuar më parë.

Fituesi i Kupës së Botës me Spanjën nuk ka luajtur në asnjë ndeshje me karakter garues që nga maji i vitit të kaluar, kur e kishte pësuar një arrest kardiak, transmeton Gazeta Express.

Ai ishte shëruar nga ai sulm në zemër dhe i ishte bashkuar skuadrës së Portos sërish për sezonin 2019/20, kur ishte edhe pjesë e skuadrës zyrtare të gjigantit portugez.

Megjithatë, tani Casillas e ka marrë vendimin të pensionohet përderisa ka thënë se po kërkon një sfidë të re jashtë fushës së lojës, e cila raportohet se është pozita e këshilltarit të presidentit të Real Madridit, Florentino Perezit.

“Gjëja më e rëndësishme është rruga të cilin e bën dhe njerëzit të cilët të shoqërojnë, e jo destinacioni ku arrin”, shkroi Casillas.

“Mendoj se mund të them, pa hezituar fare, se kjo ka qenë rruga e duhur dhe destinacioni i ëndrrave. Faleminderit”.

Casillas e kishte nisur karrierën si adoleshent në Real Madrid dhe kishte vazhduar duke i bërë 725 paraqitje për Los Blancos – duke u ndihmuar t’i fitojnë pesë tituj të La Ligës dhe tre tituj të Ligës së Kampionëve.

Ai gjithashtu ishte kapiten i Spanjës në Kupën e Botës 2010, të cilën e fituan spanjollët, dhe shijoi suksese edhe në Kampionatet Evropiane 2008 dhe 2012.

Një largim nga vendlindja e dërgoi atë në Portugali në vitin 2015, kur ai e nisi rrugëtimin me Porton, për të cilët i bëri 156 paraqitje. /Gazeta Express/

SHIKO MË SHUMË

Vushtrria pret kampionin e Kosovës, këto janë formacionet

Vazhdon edhe sot java e 3-të në Superligën e Kosovës. Kampionët e Ligës së Parë,...

Ballkani e synon përmbysjen e madhe sonte në Evropë

Ballkani do ta kërkojë përmbysjen e madhe sonte në Evropë. Ekipi kosovar do ta skuadrën...

Dëmtohet fusha e FC Mitrovica, shkak erërat e forta

Erëra të forta kanë kapluar vendin tonë gjatë ditës së sotme. Kështu ndodhi edhe në...