Ylli i Borussia Dortmund, Erling Haaland, thotë se skuadra e tij duhet të jetë po aq stabile në formë gjatë gjithë sezonit sa është Bayern Munichu, nëse dëshiron ta realizojë dëshirën për t’u shpallur kampion i Bundesligës.
Sulmuesi norvegjez ka shfaqur formë mbresëlënëse që kur i është bashkuar Dortmundit nga Red Bull Salzburgu gjatë afatit kalimtar të janarit, me 13 gola të shënuara dhe tri asiste në 15 ndeshje në Bundesligë, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, përderisa ai e kaloi një sezon mahnitës, e njëjta s’mund të thuhet për ekipin e tij, që i humbi katër nga 17 ndeshjet e fundit dhe e mbylli sezonin me 13 pikë prapa Bayernit, i cili e fitoi titullin e tetë radhazi.
Haaland tashmë po kërkohet nga klube të tjera të mëdha evropiane, mirëpo ai mbetet i përqendruar në Dortmund dhe së fundi ka treguar çfarë duhet të bëjë skuadra e Lucien Favre për t’u shpallur kampione e Gjermanisë.
“Ne e kemi cilësinë për t’u bërë kampionë, por nuk është e mjaftueshme vetëm të flasim. Bayerni e ka dalluar veten përmes mbajtjes së vazhdueshme të formës së mirë”, ka thënë Haaland për SportBild.
“Ne duhet ta vazhdojmë atë progresin që e bëmë gjatë pjesës së dytë të sezonit dhe duam të jemi edhe më të suksesshëm vitin e ardhshëm”. /Gazeta Express/


