Kingsley Coman ka bërë të ditur se ai nuk e ka aspak problem transferimin potencial të Leroy Sanes në Bayern Munich, pasi që ka premtuar se do të qëndrojë dhe do të luftojë për vendin e tij në skuadër.
Leroy Sane është përfolur për një transferim në Bayern Munich nga Manchester City që më shumë se një vit, ndërsa këto spekulime janë intensifikuar sërish tani po afrohet afati kalimtar i verës, transmeton Gazeta Express.
Bisedimet mes dy klubeve arritën në një fazë të avancuar gjatë javës së kaluar, mirëpo marrëveshja finale nuk është arritur ende, pasi që Manchester City raportohet se po insiston në çmimin prej 70 milionë eurosh.
Nëse përfaqësuesi gjerman e kompleton transferimin e tij në Allianz Arena këtë verë, ai pritet të luajë në krahun e majtë të sulmit të Hansi Flick, ku ka luajtur Coman për pjesën më të madhe të sezonit 2019/20. Por, Coman ka bërë të ditur se ai s’i frikësohet konkurrencës.
“Nëse Sane vjen, s’do të jetë problem. Përveç nëse klubi më thotë se s’do të ketë më nevojë për mua, por mendoj se klubi është i vetëdijshëm se çfarë lojtari jam unë”, ka thënë Coman.
“Situata e Leroy Sane s’ka të bëjë asgjë me të ardhmen time. Kur unë erdha në Bayern, e kishim Franck Riberyn, Arjen Robbenin e Douglas Costan dhe unë isha lojtar i ri, para atyre legjendave. Ju mund ta shihni se s’e kam problem konkurrencën”.
“Është më mirë për klubin të ketë shumë lojtarë të tillë. Unë kam kontratë deri më 2023, kështu që kemi kohë. Unë dua ta përfundoj këtë sezon dhe pastaj, verës, mund të mendojmë se çfarë do të bëjmë”. /Gazeta Express/


