Ish-futbollisti i Barcelonës, Jofre Mateu, beson se Neymari është i aftë ta plotësojë hapësirën që do të lihet bosh nga Lionel Messi në Barcelonë kur argjentinasi t’i japë fund karrierës së tij si futbollist në Camp Nou.
Përkundër që Lionel Messi ka qenë lojtari kyç i Barcelonës edhe gjatë këtij sezoni, edhe pse pati probleme me disa lëndime, e ardhmja e tij në Camp Nou nuk ka qenë aq e sigurt sa do të donin tifozët, transmeton Gazeta Express.
Argjentinasi e ka një klauzolë në kontratën e tij që e lejon të largohet nga Barcelona në fund të çdo sezoni, pa marrë parasysh a e do një gjë të tillë klubi i tij. Për më tepër, ai po i afrohet fundit të kontratës së tij dhe ende s’e ka rinovuar atë.
Deri tani, në moshën 32-vjeçare, Messi ka luajtur vetëm për Barcelonën, ndërsa ka lënë të kuptohet se mund të vendosë të kthehet te klubi i fëmijërisë, Newell’s Old Boys, në Argjentinë, para pensionimit.
Nëse ai vendos të largohet nga Barcelona, atëherë klubi katalonas do të duhet ta gjejë dikë për ta zëvendësuar argjentinasin dhe sipas Mateus, Neymari është personi i duhur për këtë detyrë.
“Disa lojtarë do të jenë shumë të lumtur nëse ai kthehet sepse ata janë shokë shumë të mirë”, ka thënë Mateu, në një intervistë të dhënë për IANS.
“Kur ai u largua nga Barcelona, ishte paksa tronditëse për ne tifozët. Ai nuk është më lojtari i njëjtë për shkak të moshës së tij dhe problemeve të tij jashtë fushës së lojës. Por, si lojtar, s’ka dyshim që është njëri ndër më të mirët në botë”.
“Kur Messi të mos jetë atje më, atëherë ai mund ta marrë vendin e tij”.


