Jurgen Klopp është zotuar që nuk do të rrezikojë asnjë futbollist të Liverpoolit dhe ka thënë se asnjë lojtar nuk do të detyrohet të stërvitet kundër vullnetit të tyre, transmeton zeri.info
Lideri i Premierligës u rikthye në stërvitje për herë të parë pas më shumë se nëntë javësh në kompleksin stërvitor “Melwood”.
Pandemia Covid-19 ka ndryshuar metodat e stërvitjeve, derisa kërkohet respektimi i distancës sociale.
“Është zgjedhja e lojtarëve dhe kjo është e qartë. E kam thënë edhe para sesionit, ‘Jeni këtu me vullnetin e lirë. Zakonisht ju nënshkruani kontratë dhe duhet të jeni aty ku ju them unë, por në këtë rast nëse nuk ndiheni të sigurt, s’keni pse të jeni këtu’”, është shprehur Klopp për “Sky Sports”.
“Nuk ka kufizime, as dënime, asgjë. Është vendimi i tyre dhe ne duhet ta respektojmë këtë 100%”, shtoi gjermani.
“Djemtë janë të gjithë këtu, grupi i parë i 10 lojtarëve, pastaj do të fillojë seanca tjetër dhe pastaj 10 lojtarë të tjerë do të hyjnë dhe më pas pesë të tjerë pasdite”, tha ai./Zëri


