Ish-ylli i Gjermanisë, Thomas Doll, është i entuziazmuar për kthimin e Bundesligës këtë fundjavë dhe e lavdëroi Federatën e Futbollit të Gjermanisë për gjetjen e zgjidhjes për rinisjen e kampionatit, përkundër krizës së koronavirusit.
Liga elitare gjermane pritet të bëhet liga e parë e madhe në Evropë që rinis pas pezullimit të shkaktuar nga koronavirusi, pasi që ndeshjet e para pas kësaj ndërprerje do të zhvillohen të shtunën, transmeton Gazeta Express.
Disa liga të tjera në Evropë shpresojnë të kthehen gjithashtu muajin e ardhshëm, përderisa liga Eredivisie në Holandë dhe ajo Ligue 1 në Francë tashmë i kanë mbyllur para kohe sezonet 2019/20.
Bundesliga e ka bërë të qartë se do të vazhdojë tutje me planin për rinisje më 16 maj, përkundër që klubi i nivelit të dytë Dynamo Dresden u detyrua ta shtyjë ndeshjen e vet pasi që infektimi i dy lojtarëve me Covid-19 e detyroi të gjithë ekipin të futet në karantinë.
Më herët këtë muaj pati shqetësime edhe për rinisjen e sezonit të Bundesligës, kur Koln e konfirmoi se tre persona në klub kanë testuar pozitivisht dhe kanë hyrë në karantinë.
Ndërkohë, autoritetet përgjegjëse shqetësohen edhe se tifozët do të grumbullohen jashtë stadiumeve – ashtu siç kishte ndodhur në ndeshjen Paris Saint-Germain – Dortmund – për ta shfaqur përkrahjen për ekipin e zemrës tani që e kanë të ndalur të hyjnë në stadiume.
Ministri i Brendshëm Ronald Woeller i ka paralajmëruar tifozët të mos e bëjnë një gjë të tillë, përndryshe do të shkaktojnë që ndeshjet të pezullohen. Por, Doll beson se nëse të gjithë i ndjekin rregullat, rinisja e kampionatit do të ketë sukses.
“Mendoj se rinisja do të jetë e suksesshme nëse të gjithë sillen në bazë të konceptit brilant të prezantuar nga Federata e Futbollit e Gjermanisë, që nuk është e lehtë të bëhet. Nëse të gjithë e respektojnë atë, atëherë kjo do të funksionojë”, ka thënë Doll.
“Ne tashmë kemi parë shumë teste që janë bërë, mendoj se janë deri në 2000 persona në Bundesligë. Fillimisht ishte e prekur Cologne, tash edhe Dresden dhe Hannovers. Kjo është keq sepse natyrisht që nuk dëshiron të jesh prapa ekipeve të tjera”. /Gazeta Express/


