Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka insistuar se skuadra e tij nuk ishte me fat në triumfin kundër Liverpoolit, përderisa e sqaroi lojën e futbollit duke e krahasuar me boksin sa i përket aksioneve të sulmit.
Skuadra e Diego Simeones e mposhti Liverpoolin me rezultat 3:2 pas kohës shtesë në ndeshjen kthyese të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve në Anfield, duke e eliminuar kështu kampionin në fuqi të Evropës nga gara, transmeton Gazeta Express.
Goli i shënuar nga Georginio Wijnaldum në pjesën e parë të ndeshjes bëri që fituesi të vendoset në kohën shtesë. Roberto Firmino e dyfishoi epërsinë e anglezëve vetëm katër minuta pasi filloi koha shtesë, që bëri që tifozët vendas ta festojnë atë gol si fitore.
Megjithatë, festa s’u zgjati shumë pasi që Atletico Madridi e përmbysi rezultatin falë dy golave të shënuara nga Marcos Llorente dhe një gol të shënuar afër fundit nga Alvaro Morata, për ta fituar përballjen me rezultat të përgjithshëm 4:2.
Gjiganti i Premierligës e dominoi posedimin e topit dhe kishte dyfish më shumë goditje drejt portës sesa kundërshtari spanjoll, megjithatë s’arriti ta shfrytëzojë këtë dominim dhe iu shuan shpresat për ta mbrojtur titullin e kampionit.
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e kishte kritikuar stilin defansiv të lojës së Atleticos pas ndeshjes, duke thënë: “Nuk e kuptoj pse ata luajnë futboll të tillë, kur e kanë aq cilësi në skuadër. Nuk e kuptoj këtë gjë”.
Simeone i ishte përgjigjur duke thënë se ai luan për të fituar, ndërsa tani sërish e ka komentuar rrjedhën e asaj ndeshjeve.
“Futbolli është si boksi sepse ti duhet ta dish kur duhet të sulmosh. Në Atletico, ne i dimë cilësitë që i kemi si skuadër”, ka thënë Simeone, në një intervistë të dhënë për AFA.
“Shembulli më i mirë për këtë është ndeshja kundër Liverpoolit, kundër një skuadre të mrekullueshme, ne e dinim se mund t’i lëndonim ata. Kur ata flasin se sa me fat ishim ne, unë mendoj për skuadrën që po humbte 2:0 dhe i shënoi tre gola”.
“Kjo nuk është fat. Ndeshjet duhet të vlerësohen si të plota”. /Gazeta Express/


