Drejtori i Red Bull Leipzigut, Ralf Rangnick, i ka konfirmuar bisedimet me Milanin dhe ka thënë se nuk mund ta përjashtojë mundësinë që të bëhet trajneri i ardhshëm i kuqezinjve.
Ish-trajneri i RB Leipzigut dhe Schalke 04 ka qenë nën radarin e pronarëve të Milanit, kompanisë Elliot Management, të cilët e shohin atë si të përsosur për postin e trajnerit, transmeton Gazeta Express.
Interesimi i Milanit për Rangnickun është raportuar që një kohë nga mediumet italiane dhe çoi deri edhe te shkarkimi i drejtorit të klubit, Zvonimir Boban, pasi që ai e kundërshtoi mënyrën se si drejtori ekzekutiv Ivan Gazidis e kishte kontaktuar Rangnickun pa e njoftuar atë.
Tani edhe vetë Rangnicku i ka konfirmuar bisedimet me Milanin, duke bërë kështu që e ardhmja e Stefano Piolit në pozitën e trajnerit në San Siro të jetë edhe më e pasigurt sesa më parë.


