Ish-futbollisti francez, Christophe Dugarry, e ka këshilluar trajnerin e Real Madridit, Zinedine Zidane, të tentojë t’ia marrë Manchester Unitedit mesfushorin Paul Pogba gjatë afatit kalimtar të verës, duke insistuar se nuk ka asnjë arsye pse të pritet edhe një vit tjetër.
Paul Pogba e ka kaluar një sezon jo shumë të këndshëm me Manchester Unitedin, pasi që lëndimet ia kanë pamundësuar atij të kontribuojë për skuadrën e tij në fushën e lojës, transmeton Gazeta Express.
27-vjeçari ka luajtur në vetëm tetë ndeshje në të gjitha garat gjatë këtij sezoni. Kjo i ka shtyrë shumë njerëz të sugjerojnë që Djajtë e Kuq të fitojnë para këtë verë për ta shitur atë, në mënyrë që të mos e humbin për asnjë cent verën e vitit të ardhshëm, kur edhe i përfundon kontrata.
Që kur është kthyer në Old Trafford nga Juventusi në vitin 2016, e ardhmja e Pogbas me Manchester Unitedin është vënë vazhdimisht në dyshim. Ai vetë shprehu dëshirën për t’u larguar nga klubi vitin e kaluar, mirëpo Ole Gunnar Solskjaer e bindi të qëndrojë.
Spekulimet për të ardhmen e Pogbas po vazhdojnë edhe më tutje, edhe 11 muaj pas deklaratës së tij, pasi që Real Madridi thuhet se do ta bëjë maksimumin për t’i siguruar shërbimet e mesfushorit francez gjatë verës.
Ende nuk dihet nëse Real Madridi do të ketë mundësi financiare ta transferojë Pogban këtë verë pas dëmeve që i ka shkaktuar koronavirusi, mirëpo Dugarry e ka këshilluar Zidanen të tentojë ta marrë Pogban sa më shpejt.
“Ka qenë një vit i vështirë për Pogban, me lëndime dhe gjithçka. Ekipi nuk është në situatë të mirë, por ai e ka arritur nivelin e tij sa herë ka luajtur”, ka thënë Dugarry.
“Duke e njohur Zizoun, nëse ai është në dashuri me Pogban, atëherë nuk ka asnjë arsye pse të presë edhe për një vit tjetër”.
“Ne të gjithë e kemi parë që mesfusha e Real Madridit është vjetruar paksa. Është një mesfushë që nuk arrin më të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme”. /Gazeta Express/


