Kryetari i KBI-Lipjan, Zaim Baftiu ka uruar muajin e madhërishëm të Ramazanit të gjithë besimtarëve.
“Lutja e besimtarit në këtë kohë është e pranuar. Duke u lutur për vëllezërit dhe motrat tona do ta ndiejmë afërsinë e tyre”, thuhet në urim nga Baftiu.
“Muaji i Ramazanit na edukon shpirtin, trupin e mendjen,andaj të kujdesemi sa më shumë për vetveten tonë,familjen dhe mbarë shoqërinë. T’i kushtojmë rëndësi të veçantë njerëzve që kanë nevojë për ndihmën dhe përkrahjen tonë në këtë gjendje të vështirë”, thuhet po ashtu, transmeton LipjaniNews.
Postimi i plotë:
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Urimi për muajin e madhërishëm të Ramazanit, nga Kryetari i KBI Lipjan , Zaim Baftiu
Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra, bashkatdhetarë kudo që gjendeni.
Në emër timin personal e në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Lipjan, ju uroj muajin e madhërishëm të Ramazanit. Ky muaj është begati nga Krijuesi për besimtarët, e ne besimtarët duhet të shfaqin vlerat dhe porositë e këtij muaji të begatë.
Zoti i Madhëruar thotë në Kur’an :“Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra, kush nga ju që arrin këtë muaj, le ta agjërojë” (El-Bekare, 185).
Këtë muaj jemi duke e pritur jo si zakonisht, shkaku i pandemisë Covid 19, nëse lidhjet horizontale i kemi të kufizuara, qëndrimin në shtëpi të domosdoshëm sipas rekomandimeve, namazet në Xhami me xhemat na mungojnë, lidhjen vertikale me Krijuesin e Mëshirshëm e kemi të hapur në çdo moment.
Agjërimi, Namazi, lutjet, leximi i Kur’anit, Bamirësia dhe adhurimet tjera, do të na japin forcë për përballimin e situatës.
Nëse në sofrën e Iftarit na mungojnë fizikisht miqtë, shokët e mysafirët, nuk duhet të mungojnë lutjet tona për ta, ngase Muhamedi a.s. na ka paralajmëruar se Agjëruesi I ka dy gëzime, njëra prej tyre kur bënë Iftar.
Lutja e besimtarit në këtë kohë është e pranuar. Duke u lutur për vëllezërit dhe motrat tona do ta ndiejmë afërsinë e tyre.
Agjërimi është reflektim i besimit tonë
Namazi është fuqizim i gjendjes shpirtërore dhe trupore
Bamirësia është tregues I dashurisë për njerëzit që kanë nevojë për ndihmën tonë.
Të nderuar Besimtarë!
Muaji I Ramazanit na edukon shpirtin, trupin e mendjen,andaj të kujdesemi sa më shumë për vetveten tonë,familjen dhe mbarë shoqërinë. T’i kushtojmë rëndësi të veçantë njerëzve që kanë nevojë për ndihmën dhe përkrahjen tonë në këtë gjendje të vështirë.
Të nderuar vëllezër e motra!
Derisa jemi duke kaluar këtë kohë në shtëpi, të kthejmë vëmendjen tek familja, prindërit, fëmijët, vëllezërit e motrat.
Prindër të dashur, transmetoni te fëmijët mesazhin e dashurisë dhe paqës, mësoni fëmijët të duan fenë dhe atdheun e tyre. Tu japim shpresë për një të ardhme më të mire.
Në prag të Ramazanit e lusim Krijuesin që ti shpërblejë dhe ti nderojë gjithmonë, të gjithë ata që janë duke kontribuar për popullin tonë në këtë gjendje pandemie: Mjekët dhe të gjitha ekipet shëndetësore, Policinë, Mësuesit, FSK ,Zjarrfikësit, Institucionet Komunale, Kompaninë e Pastrimit, Imamët tanë, Vullnetarët dhe të gjithë njerëzit human që po e tregojnë veten e tyre me donacione dhe bamirësi.
Allahu na i pranoftë agjërimin, adhurimet dhe veprat e mira, na sjelltë begati, mirësi dhe paqe në familjet tona, dhe në mbarë shoqërinë.


