Edhe nëntë raste të reja me Covid-19, janë konfirmuar mbrëmë në komunën e Lipjanit, të gjitha këto janë raste të kontaktit të mëhershëm.
Këto raste janë raste që kanë pasur kontakte me të infektuarin e më hershëm, dhe të gjithë janë komshinj të tij nga lagjja e quajtur mbrapa stadionit në Lipjan.
Kështu ka thënë për lajmi.net, zëdhënësi i komunës së Lipjanit, Dijamant Bytyqi.
“Po, mbrëmë nga Instituti jemi njoftuar se në komunën tonë janë edhe 9 raste të reja të paraqitura me virusin Covid-19. Janë raste kontakti me personin që është infektuar me herët, është e njëjta lagje e njëjta familje, por që tash është përhapur edhe me gjerë, dmth të komshinjtë e tij. Pra është e njëjta lagje. Lagjja ka qenë në karantinë që nga data 17 prill”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka thënë se të infektuarit në këtë komunë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo lagje po vazhdon që të jetë në karantinë.
“Sipas informacioneve që ne kemi nga Instituti të gjithë të infektuarit janë gjendje të mirë shëndetësore, asnjë prej tyre nuk është në gjendje të rëndë. Karantina aty po vazhdon. Si komunë jemi duke e monitoruar situatën gjatë tërë kohës. I kemi ndihmuar familjet me pako ushqimore e higjienike dhe gjera të tjera elementare që nuk mund të dalin t’i blejnë”, ka thënë ai.
Aktualisht nuk ka raste të reja të dyshuara në këtë komunë.
“Sipas informacioneve që kemi vetëm lista e kontakteve ftohen dhe testohen sipas nevojës. Nuk kemi ndonjë informatë tjetër që dikush është duke u testuar ose duke pritur. Por, në baza ditore Instituti na njofton për ecurinë”, ka thënë ai. /Lajmi.net/


