Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, pretendoi se ai ishte konsideruar taliban nga kritikët e tij vetëm pasi që kishte dashur të luajë në stilin e vet të futbollit, të njohur si “Sarriball”.
Stili i lojës së strategut italian, që është bërë i njohur me nofkën “Sarriball” në botën e futbollit. ishte shumë i famshëm gjatë kohës sa Maurizio Sarri ishte në Napoli, 2015-18. Gjatë kësaj periudhe, ai e kishte zënë dy herë vendin e dytë në tabelën e Serisë A, transmeton Gazeta Express.
Që kur iu është bashkuar Juventusit, gjatë afatit kalimtar të verës, Sarri e ka ndryshuar skemën e tij të lojës në mënyrë që të gjejë vend për sulmues si Cristiano Ronaldo, Gonzalo Higuain dhe Paulo Dybala në formacion.
Megjithatë, përkundër që ka qenë i pamposhtur me kampionët e Serisë A deri më tani, ai beson se kritikët e tij s’do të jenë të lumtur pa marrë parasysh se si luan skuadra e tij, duke sugjeruar se ai ishte parë si anëtar i grupit “Taliban” nga këta kritikë.
“Mua më cilësuan taliban sepse doja të luaj në stilin tim të futbolli, tani nuk jam mjaftueshëm i mirë sepse i jam përshtatur karakteristikave të ndryshme të lojtarëve të mi”, ka thënë Sarri, para ndeshjes së Ligës së Kampionëve me Atletico Madridin.
“Nëse do të duhej t’i dëgjoja ose t’i lexoja gjërat që thuhen për Juventusin, unë do të çmendesha. Unë vetëm duhet të eci përpara me punën time”.
“Unë do të doja ta shihja skuadrën më konsistente dhe me qasje më specifike, mirëpo ne duhet t’i marrin parasysh edhe të gjitha karakteristikat e ndryshme të lojtarëve”.
“Ne do të përmirësohemi në shumë aspekte, por unë s’mund të gjykoj në bazë të shijes personale dhe kundër personaliteteve të lojtarëve që i kam. Skuadra duhet të bashkohet nga idetë dhe kemi vend për përmirësime”. /Gazeta Express/


