Organizata Ndërkombëtare Humanitare Gjermane ASB në bashkëpunim me Komunën e Lipjanit, sot në ekonominë e shkollës së mesme bujqësore në Lipjan, kanë bërë shpërndarjen e pajisjeve bujqësore për 15 familje në nevojë, njofton Komuna.
Me këtë rast Kryetari i Komunës Imri Ahmeti, ka falenderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme Gjermane për financimin e këtij projekti i cili implementohet nga OrganizataASB.
“ Ky projekt është edhe një projekt shtesë në kuadër të shumë projekteve që po zhvillohen në Lipjan me qëllimin më të mire për të ndikuar në ngritjen e mirëqenies dhe krijimin e mundësive për vetë qëndrueshmëri të familjeve tona, tha kryetari Ahmeti, njofton Komuna.
Nga ana tjetër përfaqësues nga ASB, ka falenderuar Kryetarin Ahmeti për bashkëpunimin e mirë që ka pasur deri më tani në implementimin e këtyre projekteve. Ajo tha se është e kënaqur me ndihmën që po i bëhet familjeve në nevojë dhe sadopak të përmirësohet jeta e tyre.
Është viti i tretë që Komuna e Lipjanit ka përfituar nga ky projekt.






