Henrikh Mkhitaryan nuk është i sigurt nëse ai do të kthehet në skuadrën e Arsenalit, pasi iu bashkua klubit italian, Romën, në formë huazimi.
Armeni iu bashkua Romës në formë huazimi për sezonin 2019/20 të hënën, pas një sezoni e gjysmë në stadiumin “Emirates”, transmeton Gazeta Express.
Kur u pyet për të ardhmen e tij pas humbjes me rezultat 3:1 të Armenisë kundër Italisë në kampanjën kualifikuese për EURO 2020, Mkhitaryani tha se ai është tash i përqendruar vetëm te Roma.
“Le ta shohim se çfarë mund të bëj në Romë dhe në fund të sezonit mund të flasim nëse unë e kam mundësinë të qëndroj ose të shkoj diku tjetër. Nuk e di ende”, u shpreh mesfushori në një intervistë të dhënë për VBET News.
“Tani, s’mund të them asgjë për të ardhmen, është edhe më mirë të jesh i përqendruar në ndeshjet e radhës”.
Roma, që gjithashtu e mori në formë huazimi edhe mbrojtësin e Manchester Unitedit, Chris Smallingun, për momentin radhitet e 15-ta në Serie A, pasi që nuk arriti të sigurojë rezultate më të mirë sesa dy barazime në këtë fillim të sezonit të ri.
Mkhitaryan, 30-vjeçar, iu bashkua Arsenalit nga “Djajtë e kuq” në fillim të vitit 2018 si pjesë e marrëveshjes për shkëmbim me Alexis Sanchezin, i cili për këtë sezon të ri gjithashtu është huazuar në Itali, te Interi. /Gazeta Express/


