Krijimi i “Zajednicës” po mbështetet në decentralizimin mbi baza etnike dhe sipas kërkesave të asokohshme të Serbisë. Dëmi i madh që decentralizimi i shkaktoi Komunës së Lypjanit, do të shumëfishohet, si dhe do të përmbush funksionet e plota negative edhe për shtetin vetëm duke u bërë pjesë e “Zajednicës”. Për pasojë, Komuna e Lypjanit do të shërbejë si kufiri qendror i këtij shteti brenda shtetit të Kosovës, duke shkuar thellë në territorin e Republikës, edhe përtej Prishtinës.
Fillimisht përmes themelimit të komunës së Graqanicës, e tani duke u përfshirë në territorin dhe nën autoritetin e “Zajednicës”, Komuna e Lipjanit do të dëmtohet jo vetëm territorialisht e politikisht, por edhe ekonomikisht, sikurse edhe do të izolohet nga Prishtina e pjesë tjera të vendit, duke u kufizuar me “Zajednicën”.
Me tetë fshatra të shkëputura, me rreth 100 km katror, apo mbi 20% të territorit me tokën më pjellore të Komunës, pjesën më strategjike të zhvillimit ekonomik, me ndërhyrjen e thellë deri në qytet, duke gllabëruar jo vetëm tokën bujqësore, por edhe bizneset e shumta të vendosura përgjatë magjistrales Prishtinë-Ferizaj dhe Prishtinë-Shtime, Lypjani do të ngulfatet nga pamundësia e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik e vështirësitë e komunikimit, dhe qytetarët do të përjetojnë presionin e drejtpërdrejtë të politikave të Serbisë përmes “Zajednicës”., thuhet ndërë tjerash në Komunikatën e VV-së Lipjan.


