Mbrojtësi anësor i Manchester Unitedit, Aaron Wan-Bissaka, ka zbuluar se Paul Pogba e kishte këshilluar atë të luajë pa frikë, pas transferimit të tij në “Old Trafford” në qershor.
21-vjeçari, i cili u transferua nga Crystal Palace, ishte njëri ndër tre lojtarët e rinj – bashkë me Harry Maguire dhe Daniel James – që iu bashkuan Manchester Unitedit gjatë këtij afati kalimtar të verës, transmeton Gazeta Express.
Lojtari i Vitit i “Shqiponjave” për sezonin 2018/19 e nisi në mënyrë mbresëlënëse karrierën e tij në Old Trafford, duke u bërë përshtypje tifozëve me paraqitjen e tij qysh në ndeshjen e tij të parë, kundër Chelseat.
Tani, Wan-Bissaka ka zbuluar se si është mirëpritur nga skuadra e Manchester Unitedit dhe i ka treguar këshillat e Pogbas, i cili së fundi është përballur me kritika dhe me thirrje raciste.
“Paul Pogba më ka këshilluar shumë. Në atë ndeshje të parë në Perth, ai ma tha atë që ma thanë të gjithë: ti je këtu për një arsye, luaje lojën tënde, luaj pa frikë. Këtë gjë e mbajta në mendje”, ka thënë Wan-Bissaka.
Wan-Bissaka vazhdoi duke thënë se është duke përmirësuar çdo ditë e më shumë në seancat stërvitore me “Djajtë e kuq’.
“Unë jam kundër Anthony Martialit mjaft shpesh. Është e vështirë, por ti i merr anët pozitive. Na ndihmon të dyve. Të luash kundër dikujt me këmbë aq të shpejta si ai, nuk mund të mos mësosh”, shtoi anglezi.
“Sulmuesit tanë kanë të gjithë shumë shpejtësi, kështu që ti duhet të jesh i përqendruar dhe i fokusuar për lëvizjen e tyre të radhës. Duhet ta bësh këtë gjë gjatë gjithë kohës”. /Gazeta Express/


