Qendërmbrojtësi brazilian, Thiago Silva, beson se bashkëkombësi i tij Neymari është i domosdoshëm në skuadrën e Paris Saint-Germainit dhe se ai mund ta rifitojë dashurinë e tifozëve nëse qëndron në klub.
Braziliani Neymar ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje për kampionin e Ligue 1 këtë sezon, ndërsa trajneri Thomas Tuchel e konfirmoi se sulmuesi nuk do të bëhet pjesë e skuadrës para se të qartësohet e ardhmja e tij, transmeton Gazeta Express.
Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, më herët kishte lajmëruar se 27-vjeçari e ka informuar klubin për dëshirën e tij për t’u larguar dhe disa tifozë shfaqën pankarta duke e kritikuar ish-sulmuesin e Barcelonës gjatë ndeshjes kundër Nimesit, më 11 gusht.
Përkundër që i humbi Edinson Cavanin dhe Kylian Mbappe për shkak të lëndimeve, në disfatën 4:0 kundër Toulouse të dielën, Tuchel bëri të ditur se ai është i pasigurt nëse Neymari do të jetë në dispozicion për t’u përballur me Metz të premten.
Por, Silva nuk ka asnjë dyshim se PSG-ja do të luftojë për ta mbajtur Neymarin, për të cilin kanë shprehur interesim Real Madridi dhe Barcelona. RAC1 pretendon se një delegacion i katalonasve do të shkojnë sot në Paris për t’i vazhduar negociatat.
eymari është lojtar i domosdoshëm për cilëndo skuadër. Ai është kështu në Barcelonë dhe është kështu edhe për ne”, u shpreh Silva në një intervistë të dhënë për RMC.
“Ky është një problem specifik mes lojtarit dhe klubit, ne nuk mund të përfshihemi. Por, në mendjen time, unë shpresoj se ai do të qëndrojë. Ia kam thënë këtë gjë atij, edhe pse është e vështirë t’ia kërkosh vazhdimisht të qëndrojë”.
“Nuk e di saktësisht se çfarë po ndodh mes tij dhe klubit. Unë sinqerisht shpresoj që afati kalimtar të mbyllet së shpejti sepse s’mund ta duroj më”.
Kur u pyet për marrëdhëniet e tensionuara mes tifozëve të klubit parisien dhe Neymarit, Silva tha: “Është e vështirë të flasësh për këtë situatë, tifozët mund ta bënin këtë gjë në ndonjë mënyrë tjetër, por ata mendojnë me zemër”.
“Mendoj se nëse Neymari kthehet dhe fillon t’i ndihmojë klubin dhe luan si vitin e kaluar, në fund të sezonit, të gjithë do të jemi të lumtur, veçanërisht tifozët”. /Gazeta Express/


