Interi raportohet se e ka kaluar vëmendjen nga sulmuesi i shtrenjtë i Manchester Unitedit, Romelu Lukaku, te sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Edinson Cavani.
Manchester Unitedi ia ka kërkuar Interit mbi 80 milionë euro për ta transferuar Romelu Lukaku, mirëpo zikaltrit nuk janë të gatshëm të shpenzojnë një shumë të tillë, transmeton Gazeta Express.
Duke e pasur këtë parasysh, dy media të mëdha italiane – Tuttosport dhe Corriere dello Sport – raportojnë se drejtuesit italianë kanë vendosur të tentojnë ta transferojnë Cavanin.
Ish-sulmuesi i Napolit shihet si një opsion më i mirë për pozitën e qendërsulmuesit në skuadrën e Interit, për shkak se ai është 32-vjeçar dhe e ka vetëm një vit të mbetur në kontratën me Paris Saint-Germainin.
Zikaltrit mund edhe t’i ofrojnë atij pagë prej nëntë milionë eurove në vit, që është më pak se ajo që uruguaiani e merr për momentin në PSG, 12 milionë euro.
Uruguaiani i shënoi 193 gola në 279 ndeshje për “Les Rouge-et-Bleu” gjatë kohës së tij në Parc des Princes, duke i shtuar edhe pesë tituj të Ligue 1 në mesin e sukseseve të tij.
Ai i shënoi mbi 100 gola për Napolin gjatë viteve 2010-2013, para se të transferohej për 64 milionë euro në Paris Saint-Germain. /Gazeta Express


