Trajneri i ri i Rahovecit, Neven Plantak ndihet i lumtur dhe krenar që në edicionin e ri do ta drejtojë ekipin nga Superliga e basketbollit kosovar. Ai shprehet i bindur se palestra do të vazhdojë të mbetet e mbushur edhe sezonin e ardhshëm
Neven Plantak do të mundohet ta drejtojë Rahovecin drejt sukseseve të reja sezonin e ardhshëm, shkruan Gazeta Express.
Ish-trajneri i Trepçës ndihet i lumtur dhe krenar që do ta drejtojë skuadrën e Superligës së basketbollit kosovar, ndërsa shprehet i bindur se palestra në Rahovec do të mbetet e mbushur plot edhe sezonin e ardhshëm.
“Jam shumë i kënaqur që po kthehem në Kosovë dhe shpresoj që do t’i realizoj pritjet e Rahovecit. Për Rahovecin di shumë gjëra sidomos për skuadrën të cilën e kam përcjell vazhdimisht gjatë edicionit të kaluar. Është një skuadër e re por që ka arritur shumëçka në periudhë të shkurtër kohore. Sezoni i kaluar ishte fantastik për Rahovecin dhe për këtë duhet falënderuar trajneri, basketbollistët dhe bordin menaxhues. Palestra e re pa dyshim që ka sjell kënaqësi dhe do të kujdesem që kjo arenë të jetë sërish plot me tifozë edhe në edicionin e ri”, ka thënë fillimisht Plantak për faqen zyrtare të Rahovecit.
Krahas sukseseve në nivelin vendor, Plantak synon të jetë i suksesshëm në edicionin që vjen edhe në arenën ndërkombëtare me “Vreshtarët”.
“Ambiciet tona sivjet janë shumë të qarta, do të provojmë të përsërisim suksesin e vitit të kaluar në Kupë dhe Superligë, por sivjet mëtojmë suksese edhe në gara ndërkombëtare si në FIBA Europa Cup e Ballkan League. Do të jetë e vështirë për ne që të luajmë në katër gara, por këtë duhet ta bëjmë dhe të arrijmë rezultate sa më të mira”, nënvizoi ai.
“Palestra është plot çdo ndeshje e për këtë duhet falënderuar edhe tifozët “Vreshtarët”. Unë i thërras dhe kërkoj nga ta që edhe këtë edicion të jenë prapa nesh sepse ajo na ndihmon shumë në lojë. Unë premtoj që si trajner do ta jap maksimum në secilën ndeshje. Jam krenar që jam pjesë e kësaj skuadre dhe do të punojmë për rezultate dhe të tjera ditë historike”, ka përfunduar Plantak. /Gazeta Express/


