Manchester City të enjten e ka blerë Rodrigon, i njohur si Rodri, nga Atletico Madridi, për një shumë rekord për klubin, 70 milionë euro.
Mesfushori qendror ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me kampionin e Premierligës, transmeton Gazeta Express.
City e transferoi Rodrin pasi e aktivizoi klauzolën e lirimit të tij në vlerë 70 milionë euro, që nënkupton se blerja e 23-vjeçarit është rekorde për klubin nga Mançesteri.
Ai do ta veshë fanellën me numrin 16.

Rodri tashmë është prezantuar te kampioni i Anglisë.
Ai është shprehur i lumtur që është transferuar te Manchester City dhe që do të punojë me Pep Guardiolën.
“Për mua është një ëndërr të jem këtu, e dëshiroja shumë këtë transferim”, tha Rodri në konferencën për shtyp të zhvilluar të enjten pasdite.
“Kjo është një skuadër e mrekullueshme dhe një staf i jashtëzakonshëm. Kam shumë gjëra për të mësuar”.
“Kur dëgjova për interesimin e Man City e Guardiola, nuk mendova dy herë. Vendosa të vij këtu, pasi mendoj se ky është vendi i duhur për të vijuar karrierën time dhe për t’u zhvilluar më shumë”, tha mesfushori spanjoll.
“Jam krenar për atë çfarë ka bërë deri më tani në karrierën time, por kam nevojë të rritem edhe më shumë profesionalisht, të mësoj edhe më shumë. Mendoj se me Pep do ia dal mbanë”, tha Rodrigo.
Mesfushori spanjoll është shprehur i lumtur i është bashkuar një klubi që luan futboll sulmues.
“Nuk janë vetëm titujt që ata i kanë fituar, por edhe mënyra sesi e kanë bërë, duke luajtur futboll sulmues tërë kohën”, tha Rodri për uebsajtin zyrtar të klubit.
“Është një stil që më ngazëllen, njëlloj si ambiciet e klubit. Mezi pres ta nis punën me Pep Guardiolën”, shtoi ai. /Gazeta Express/


