E ka ëndërruar Real Madridin si fëmijë dhe sot do ta kishte të veshur fanellën e Los Blancos nëse në vitin 2017 nuk do të kishte ndërruar mendjen për para.
Të jesh sot futbollist do të thotë që jo vetëm që je një figurë publike, por ke mundësinë të bëhesh edhe milioner, të jetosh jetë luksi, raporton Gazeta Express.
Shumë futbollistë edhe ia dalin, derisa ka të atillë që gjithmonë duan më shumë e më shumë, duke vendosur paratë para karrierës.
Futbollisti që e ka bërë këtë, është Kylian Mbappe i Paris Saint Germainit.
Ai sot kërkohet me ngulm nga Reali, ndërsa nëse në vitin 2017 nuk do të kishte menduar për kushte ekonomike para karrierës, do të ishte duke luajtur në “Santiago Bernabeu”.
Se Mbappe e do Realin, këtë e kishte konfirmuar edhe Unai Emery, ish-trajner i PSG-së, duke treguar se për të mos shkuar në Madrid, 20-vjeçari atë kohë kishte kërkuar shumë para.
“Ai dëshironte të shkojë në Real Madrid. Madje kishte mundësi edhe në Barcelonë. Por, dëshironte të shkojë në Madrid me sy mbyllur, por i treguam që kemi një projekt në Francë dhe ai na kërkoi më shumë para në tavolinë gjë që PSG-ja e bëri menjëherë”, kishte thënë Emery.
Sot, është e komplikuar për lojtarin e për Realin që t’ia plotësojnë dëshirat njëri-tjetrit.
PSG-ja nuk heq dorë nga francezi, por edhe nëse do të pranonte, vështirë se do të ulej në tavolinë për të negociuar për një shifër nën 300 milionë euro – që do të ishte çmenduri shpenzimi i tillë për një lojtar.
Sot, Mbappe është shndërruar në një ndër futbollistët më të mirë në botë, dhe ai që një ditë do të zërë vendet e Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.
Në dy sezone te PSG-ja, Mbappe ka bërë 87 paraqitje dhe ka shënuar 60 gola – duke fituar katër trofe. /Gazeta Express/


