Për të dytin sezon radhazi, Antoine Griezmann besohet se është shumë afër transferimit në Barcelonë.
Spekulimet për të ardhmen e francezit në Atletico Madridit janë intensifikuar gjatë javëve të fundit dhe, siç qëndrojnë gjërat për momentin, duket se ai do ta veshë fanellën e famshme të Barcelonës sezonin e ardhshëm, shkruan Marca, transmeton Gazeta Express.
Fituesi i Kupës së Botës 2018 i ka vënë klubet e mëdha në lëvizje, duke bërë të ditur se dëshiron të largohet nga Atletico Madridi këtë verë. Këtë gjë ai e zbuloi përmes një videoje ku u tha lamtumirë të gjithë personave të lidhur me klubin.
Megjithatë, Griezmann ende s’ka arritur asnjë marrëveshje me asnjë klub.
Edhe pse transferimi i tij do të ishte një lajm i mirë për Barcelonën, shumë persona në klub janë kundër këtij transferimi për disa arsye të ndryshme.
Së pari, disa anëtarë të bordit drejtues janë kundër blerjes sepse ata janë ende të irrituar nga mënyra se si Griezmann e kishte refuzuar Barcelonën në mënyrë aq publike sezonin e kaluar.
Pastaj, përkundër që Griezmanni është një figurë shumë e pëlqyer për shumicën e tifozëve të futbollit, mediat spanjolle raportojnë se edhe disa futbollistë të Barcelonës janë kundër transferimit të francezit.
Së fundi, tifozët e Barcelonës, të cilët janë ndër tifozët më kërkues në botën e futbollit, nuk mund ta harrojnë apo ta falin francezin për mënyrën se si e refuzoi Barcelonën vitin e kaluar, në mënyrë publike përmes një dokumentari.
Nëse ai përfundon në Barcelonë, ai do të duhet ta rifitojë respektin e tifozëve përmes paraqitjeve në fushë, diçka që nuk pritet të jetë problematike nëse ai vazhdon me të njëjtën formë si vitet e fundit. /Gazeta Express/


