Victor Valdesi e ka shkruar një letër emocionale për Iker Casillasin, duke i kërkuar këtij të fundit të pensionohet nga futbolli pas sulmit në zemër që e pësoi gjatë një seance stërvitore me Porton.
Iker Casillasi dhe Victor Valdesi e kishin një rivalitet të madh mes vete gjatë kohës sa luanin në Real Madrid dhe Barcelonës. Mirëpo, gjatë ditëve të fundit e gjithë bota e futbollit është bashkuar për t’i uruar shërim të shpejtë portierit 37-vjeçar që tani luan në Porto, transmeton Gazeta Express.
Tani, ish-portieri i Manchester Unitedit dhe Middlesbrough e shfrytëzoi llogarinë e tij në Instagram për ta ndarë një mesazh me Casillasin, duke thënë se ai duhet ta vendosë në rend të parë mirëqenien e tij para karrierës në futboll.
“I dashur Iker, i dashur shok. Në botën e futbollit, disa zgjidhen për t’u bërë portierë, ndërsa disa të tjerë duhet të mësojnë me të gjithë vlerat dhe defektet e tyre. Ti je dhe gjithmonë do të jesh një ndër ata persona që kanë lindur me nga një dorezë në secilën dorë”, shkruan Valdesi.
“Ti je një idhull në të cilën përqendrohen ata që kanë më pak aftësi, duke ëndërruar që ndonjë ditë ta ngrenë larg trofeun që të bën më të mirin ashtu si ti, kampioni ynë i botës me numrin një në fanellë”.
“Ti je dhe gjithmonë do të jesh forca motivuese për ata në mes të dy shtyllave, dikush që fluturon më lart dhe më shumë sesa të gjithë ne të tjerët së bashku. Ti e shndërron të pamundurën në realitet”.
“Ti e ekzekuton çdo aksion që e kemi afër vetes me një pritje të mrekullueshme, me pritje që vetëm ti mund t’i bësh këtu për ata të paktit që janë të prekur nga “shkopi magjik””.
“Shoku im, nuk është e mundur t’i shmang emocionet përderisa i shkruaj këto fjala duke i kujtuar ato që i kam jetuar, duke i adhuruar ato me një nostalgji për betejat e mrekullueshme me ty para vetes, që më kanë bërë të vlerësojmë gjithçka më shumë. Ti nuk ishe i vetëdijshëm se sa shumë më jepje çdo stërvitje. I gjithë vendi të ka brohoritur”.
“I dashur Iker, i dashur shok. Si portierë, ne e pranojmë, pa frikë dhe me vlerat me të cilat e identifikojmë veten, rrezikun që mund të na i sjellë pozita jonë dhe ne disa raste një pritje është më shumë sesa vetëm një pritje e thjeshtë”.
“Zemra jote vazhdon të rrahë për hir të atyre që ëndërrojnë të arrijnë atë nivel ku ti ke qenë. Si shok dhe si rival në të kaluarën, unë të inkurajoj të jesh ai luani i bardhë përsëri, por këtë herë jashtë fushës së futbollit”.
“Trashëgimia që na i ke lënë të identifikon ty dhe ti tashmë ke shkruar historinë. Gjithmonë do të jesh në mendjen time”. /Gazeta Express/


