Shorti për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve të këtij sezoni do të mbahet të premten dhe këtë herë, vetëm një klub spanjoll ka mundësi të marrë pjesë në këtë short.
Fati i Spanjës është në duart e Barcelonës, pasi që katalonasit janë të vetmit spanjollë që mund të kualifikohen për në çerekfinale, transmeton Gazeta Express.
Nëse Barcelona eliminohet nga Liga e Kampionëve sonte, në ndeshjen kundër Lyonit, e cila zhvillohet në Camp Nou në orën 21:00, atëherë kjo do të jetë hera e parë pas 14 vjetëve që asnjë klub spanjoll nuk arrin deri në çerekfinale.
Disfata e Atleticos ndaj Juventusit në ndeshjen kthyese të 1/8 të finales, në Torino, bëri që skuadra e Diego Simeones t’i bashkohet rivalit të qytetit, Real Madridit, në mesin e klubeve që nuk u kualifikuan në fazën e radhës.
Ndërsa, klubi tjetër nga La Liga, Valencia, u eliminua nga kjo garë prestigjioze e Evropës qysh në fazën e grupit. Për këto arsye, ky është viti më i keq për klubet spanjolle në Evropë gjatë kohës së fundit.
Edhe nëse Barcelona arrin të kualifikohet për në çerekfinale sonte, ky do të jetë sezoni më i keq i Ligës së Kampionëve për spanjollët që nga sezoni 2009/2010. Në atë sezon, vetëm një klub spanjoll arriti në çerekfinale dhe pastaj u eliminua në gjysmëfinale.
Hera e fundit që nuk ka pasur asnjë përfaqësues të La Ligës në fazën e çerekfinaleve ishte në sezonin 2004/2005. /Gazeta Express/


