Ndeshja e parë në kuadër të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, mes Barcelonës dhe Lyonit, përfundoi me rezultat 0:0. Të mërkurën do të zhvillohet ndeshja kthyese dhe do të vendoset çerekfinalisti i radhës.
Mesfushori sulmues i Lyonit, Nabil Fekir, është i vetëdijshëm se skuadra e tij do ta ketë të vështira ta ndalojë Lionel Messin, por duhet ta bëjnë këtë gjë për të pasur mundësi për ta fituar një vend në çerekfinale, transmeton Gazeta Express.
Francezi i lavdëroi rivalët e Ligës së Kampionëve të skuadrës së tij, por insistoi se ai dhe bashkëlojtarët e tij do ta bëjnë maksimumin për ta arritur kualifikimin në fazën e radhës.
“Për mua, Messi është lojtari më i mirë në botë, pasi që ai ka qenë në nivelin më të lartë tash e dhjetë vjet. Ai është vendimtar për skuadrën e tij çdo vit”, ka thënë Fekir.
“Barcelona është njëra ndër ekipet më të mira në Evropë dhe është gjithmonë argëtuese të luash kundër klubeve të nivelit të tillë”.
“Është normale që tifozët presin shumë nga unë në këtë ndeshje ne e dimë se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ta japim maksimumin tonë”. /Gazeta Express/


