Romelu Lukaku dhe Paul Pogba ishin të përfshirë në një zënkë të vogël, pas fitores së Manchester Unitedit kundër Southamptonit, me rezultat 3:2. Zënka ndodhi për shkak të penalltisë që mesfushori francez e humbi në minutat shtesë të lojës.
Pogba, i cili i gjuan gjithmonë penalltitë për “Djajtë e kuq”, insistoi që ta bëjë këtë gjë edhe në atë ndeshje, përkundër që Lukaku e kishte mundësitë për ta kompletuar het-trikun e tij, transmeton Gazeta Express.
Sipas të përditshmes angleze, The Sun, Lukaku ishte zemëruar me francezin pasi që besonte se i kishte ndihmuar Pogbas gjatë kohës që trajner kishte qenë Jose Mourinho. Për këtë arsye, ai mendonte se e meritonte që Pogba t’ia jepte mundësinë për ta gjuajtur penalltinë.
Trajneri në detyrë, Ole Gunnar Solskjaer, u detyrua të ndërhyjë mes dy miqve të mirë, për ta qetësuar gjendjen në zhveshtore, sipas The Sun. Megjithatë, kjo e përditshme angleze kishte raportuar edhe për zënka të tjera në klub, të cilat kishin rezultuar të mos jenë të vërteta.
Manchester Unitedi ishte duke pësuar disfatë në ndeshjen e së shtunës, në kuadër të Premierligës, në Old Trafford, në pjesën e parë. “Djajtë e kuq” u treguan më të mirë në pjesën e dytë të ndeshjes, pasi që Andreas Pereira dhe Romelu Lukaku e shënuan nga një gol brenda gjashtë minutave, transmeton Gazeta Express.
Rezultati u barazua përsëri në minutën e 75-të përmes golit të shënuar nga James Ward-Prowse. Mirëpo, në minutën e 88-të, Lukaku e shënoi edhe golin e tij të dytë për këtë ndeshje. Paul Pogba gaboi nga penalltia në minutat shtesë të lojës, duke bërë kështu që ndeshja të përfundojë me rezultat 3:2.
Këto tri pikë janë mjaft të rëndësishme për skuadrën e Ole Gunnar Solskjaer, pasi që tani ata ngrihen në pozitën e katërt në tabelën e Premierligës, pas barazimit të Arsenalit kundër Tottenhamit. /Gazeta Express/
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/sport/perseri-zenka-ne-man-united-edhe-kete-here-pogba-ne-qender-632618/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright


