Presidentit të Real Madridit, Florentino Perezit, i ka shteruar durimi për Gareth Bale dhe ai ka vendosur që ka ardhur koha për largimin e uellsianit nga klubi madrilen.
Vetëm nëse Bale bën paraqitje të jashtëzakonshme deri në fund të këtij sezoni, Perezi mund ta ndryshojë mendjen. Kjo gjë ka ndodhur edhe në të kaluarën. Por, tani, burimet e AS thonë se nuk do të jetë aspak tolerant, transmeton Gazeta Express.
Sjellja e keqe dhe veprimet e fundit të Bale kanë bërë që Perezi të mbetet shumë i pakënaqur me futbollistin. Lideri i “Los Blancos” besonte se pas largimit të Cristiano Ronaldos, uellsiani do të bëhej liderit i sulmit.
Mirëpo, për shkak të personalitetit të tij dhe faktit që ai nuk flet pothuajse fare spanjisht, Bale nuk i ka arritur pritshmëritë që ishin krijuar për të. Në fakt, paraqitjet e tij janë përkeqësuar, në krahasim me sezonet e kaluara.
Këtë sezon, ai i ka shënuar vetëm 13 gola dhe që nga emërimi i Santiago Solarit në pozitën e trajnerit, e ardhmja e tij në Real Madrid po duket edhe më e pasigurt. Ai është i 14-i në listën e lojtarëve me më së shumti minuta të luajtur nën trajnerin argjentinasin. Bal ka luajtur vetëm 1,097 minuta.
Verën e vitit 2017, Real Madridi kishte tentuar ta transferojë uellsianin në Manchester Unitedit, për t’i lënë më shumë hapësirë Mbappes. Megjithatë, Bale nuk pranoi të largohej dhe kjo e kishte zemëruar Perezin.
Verën e kaluar, madrilenët nuk pranuan ta shesin atë, për shkak të largimit të Ronaldos, përkundër që trajneri i atëhershëm, Zinedine Zidane, kishte sugjeruar që uellsiani të shitej.
Tani, situata ka ndryshuar. Klubi dëshiron ta shesë, për të sjellë lojtarë të rinj në skuadër. Kjo shitje do të bënte që të uleshin shpenzimet e Real Madridit, për shkak të pagës së lartë të uellsianit, dhe Bale pritet të shitët për mbi 100 milionë euro.
Që nga transferimi i tij në Real Madrid, që u realizua në verën e vitit 2013, Bale ka luajtur vetëm në 58 për qind të ndeshjeve të Real Madridit, apo vetëm 47 për qind të minutave të ndeshjeve.
Ai i ka shënuar 101 gola. Sezoni i tij më i mirë ishte 2013/2014, kur ai shënoi 22 herë. Por, Florentino Perez ka vendosur se ditët e Bale në Real Madrid do të jenë të numëruara. Vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë uellsianin përsëri. /Gazeta Express


