Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, i ka habitur tifozët e klubit të tij, duke i fshirë llogaritë e tij në Twitter dhe Instagram.
Allegri ishte shumë aktiv në rrjete sociale, kur ai vazhdimisht i komentonte ndeshjet e Juventusit. Megjithatë, gjatë javëve të fundit, ai mori shumë kritika për stilin e lojës së “Zonjës së Vjetër”, transmeton Gazeta Express.
Arsyeja e vërtetë pas vendimit të Allegrit për përdorimin e rrjeteve sociale mbetet ende e paqartë. Kjo gjë pritet të sqarohet në konferencën për shtyp që italiani do ta mbajë të shtunën, para ndeshjes së Serisë A, kundër Napolit.
Fillimisht ai e kishte fshirë llogarinë e tij në Instagram dhe të gjitha postimet në Twitter, mirëpo, më vonë, italiani e fshiu edhe llogarinë në Twitter.

E ardhmja e Allegrit është në dyshim pas humbjes befasuese 2:0 nga Atletico Madridi, në ndeshjen e parë në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve. Këshilltari i trajnerit italian, Giovanni Galeone, ka thënë se Allegri do të largohet nga “Zonja e Vjetër” në një të ardhme të afërt.
“Unë tashmë i kam thënë atij, pesë vite më parë, që të shkojë në Premierligë”, tha 78-vjeçari për “Radio Kiss Kiss”, ka thënë Galeone.
“Nuk mendoj se mund të shkojë në ndonjë klub tjetër në Itali. Pavarësisht se çfarë do të ndodhë në Ligën e Kampionëve, mendoj se i ka ardhur fundi aventurës së tij në Juve”.
“Vitin e kaluar ai ka mundur të shkojë në Chelsea, Arsenal, Manchester United apo Real Madrid, por refuzoi sepse donte të fitojë Ligën e Kampionëve me Juventusin”. /Gazeta Express/


