Paul Pogba është lavdëruar nga legjenda e Manchester Unitedit, Phil Neville, i cili e ka vlerësuar francezin si lojtarin më të mirë në Premierligë, pas paraqitjes së tij në ndeshjen e mbrëmshme, kundër Chelseat.
Pogba ishte njëri ndër lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën e Manchester Unitedit mbrëmë, kur “Djajtë e kuq” siguruan fitore me rezultat 2:0 kundër Chelseat, në Stamford Bridge, transmeton Gazeta Express.
25-vjeçari e asistoi golin e parë të ndeshjes, të shënuar nga Ander Herrera dhe më vonë e shënoi edhe golin e dytë, duke e mposhtur portierin Kepa Arrizabalaga me një goditje të bukur me kokë.
Pogba është duke e shijuar futbollin përsëri, tani që në vend të Jose Mourinhos është emëruar Ole Gunnar Solskjaer, dhe ai e shfaqi këtë edhe duke vallëzuar për ta festuar golin.
“Ishte sikur ta shikoje Manchester Unitedin e vjetër. Solskjaer i bëri taktikat në mënyrë të përsosur. Dhe tani, nën drejtimin e Solskjaer, unë nuk shoh asnjë lojtar më të mirë në Premierligë sesa Paul Pogba”, ka thënë Neville, i cili i ka bërë më shumë se 300 paraqitje për “Djajtë e kuq”.
Nën drejtimin e trajnerit norvegjez, Pogba është bërë njëri ndër lojtarët me statistikat më të mirë në Evropë. Në vetëm 12 paraqitje, ai i ka shënuar nëntë gola dhe i ka asistuar gjashtë të tjera. /Gazeta Express/


