Trajneri i Real Madridit, Santiago Solari, ka thënë se të gjithë duhet t’i besojnë VAR-it pasi skuadra e tij përfitoi nga një vendim kontrovers në fitoren e së mërkurës, me rezultat 2:1, kundër Ajaxit në Ligën e Kampionëve.
Madrilenët e fituan këtë ndeshje përmes golave të shënuar nga Karim Benzema dhe Marco Asensio. Kjo fitore është mjaft e rëndësishme dhe tani “Los Blancos” janë shumë afër për ta zënë një vend në çerekfinale, transmeton Gazeta Express.
Nicolas Tagliafico mendoi se i kishte dhënë epërsinë skuadrës holandeze kundër kampionit evropian dhe botëror, por VAR-i ndërhyu dhe e anuloi atë. Ky gol u anulua për një faull të sulmuesit të Ajaxit ndaj portierit të Madridit, si dhe për pozitë jashtë.
Megjithatë, trajneri Solari insiston se zyrtarët duhet të kenë besim në vendime të tilla pasi që gjyqtarët në dhomën e VAR-it janë të vetmit që i kanë të gjitha përsëritjet e incidentit.
“Ne nuk i kemi elementet për të gjykuar. Nuk e kemi një ekran. Ne i besojmë VAR-it dhe gjyqtarit dhe besojmë në atë që e thonë ata”, ka thënë Solari në konferencën për shtyp pas përfundimit të ndeshjes.
“Pa dyshim që e patëm të vështirë. Ne e dinim si ta luajmë këtë ndeshje, edhe duke vuajtur, dhe të shënojnë gola sa herë që e kemi një mundësi. Ne bëmë gjithçka që mundëm dhe kjo e tregon fuqinë e lojtarëve dhe të këtij grupi. /Gazeta Express/


