Barcelona e ka siguruar një huazim në vlerë prej 140 milionë eurosh nga dy kompani fondesh amerikane, me interes 1.5 për qind për pesë vjetët e ardhshme.
Katalonasit, të cilët në të kaluarën ishin mësuar të merrnin huazime të tilla përmes disa marrëveshjeve me banka, i kanë siguruar tifozët se situata financiare e klubit është e qëndrueshme, transmeton Gazeta Express.
Ashtu siç ishte raportuar nga El Pais, blaugranët e theksuan faktin se bordi i klubit, bashkë me Josep Bartomeun, ka fituar mjaft shumë para gjatë sezoneve të fundit, mirëpo nuk e kanë përjashtuar asnjëherë mundësinë që të marrin ndihma financiare për të transferua lojtarë.
Mesfushori i Ajaxit, Frenkie De Jong, nënshkroi kontratë me Barcelonën, ku do të luajë nga sezoni i ardhshëm, për 75 milionë euro plus 11 milionë euro shtesa. Ideja e Barcelonës është që t’i kompensojë paratë e shpenzuara për transferime me shitje.
Barcelona dëshiron të sigurohet se ka para në dispozicion në të gjitha kohërat për transferime të mundshme. Në anën tjetër, Victor Font, i cili synon të bëhet president i klubit, e ka shprehur shqetësimin e tij për politikat financiare të klubit.
“Ata nuk prodhojnë mjaftueshëm burime parash dhe shpenzimet e rregullta janë më të mëdha sesa përfitimet, kështu që duhet të shesësh disa lojtarë dhe kjo është një bombë kohore sepse duhet t’i shmangësh humbjet. Borxhi është shumë më i madh sesa që është lënë të kuptohet nga klubi’, ka thënë Font. /Gazeta Express/


