Mungon vetëm zyrtarizmi, duket se tashmë gjithçka është e kryer. Milan Skriniar do të firmosë kontratë të re me Interin deri në vitin 2023
Lajmin e ka dhënë Corriere dello Sport, që ka bërë të ditur se me kontratën e re, lojtari do të ketë edhe përmirësime të kushteve ekonomike.
Raportohet se paga e lojtarit do të shkojë nga 1.7 milionë euro në sezon deri në 3 milionë euro plus bonuse.
Kjo lëvizje e Interit vjen në kohën klubi po kalon nëpër një krizë të rezultateve, veprim për t’i qetësuar paksa tifozët, të cilët janë të frikësuar se mund të humbasin talentin 23-vjecar, për të cilin interesohen Manchester Unitedi dhe Barcelona.
Skriniar mund të përfitojë më shumë ekonomikisht te ndonjë klub tjetër evropian, por ai ka përsëritur disa herë se është i lumtur në Milano dhe se nuk dëshiron të largohet nga Interi.
Se Skriniar mund të qëndrojë gjatë te Interi, e dëshmon më së miri edhe fakti se me kontratë e re, nuk do të ketë klauzolë lirimi, klubi nuk e donte dhe sllovaku nuk kërkoi për ta vendosur atë, duke e bërë më të fortë këtë marrëdhënie mes tyre. /Gazeta Express/