Ylli belg i Chelseat, Eden Hazard, ka bërë të ditur se tashmë e ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij, mirëpo nuk ka treguar nëse vendimi i tij është që të qëndrojë në Stamford Bridge apo të transferohet diku tjetër.
Hazardi është duke hyrë në 18 muajt e fundit të kontratës së tij në Stamford Bridge. Chelsea kishte shpresuar se do ta bindte belgun ta rinovonte kontratën e tij deri më tani, transmeton Gazeta Express.
Pas shumë muajve paqartësi, kur belgu vazhdimisht kishte thënë se do ta merrte vendimin e tij në të ardhmen, tani ai ka bërë të ditur se tashmë e ka marrë këtë vendim, por nuk ka pranuar ta zbulojë atë
“Unë e di se çfarë do të bëj. E kam marrë një vendim”, ka thënë Hazard për RMC.
Tentimet e Chelseat për t’ia rinovuar kontratën Hazardit kanë rezultuar të pasuksesshme deri më tani pasi që Hazardi është ende në qendër të vëmendjes mediatike sa i përket mundësisë së një transferimi në Real Madrid.
Edhe gjatë kohës kur nuk është i hapur asnjë afat kalimtar për lojtarët, spekulimet për transferimin e 28-vjeçarit në Real Madrid nuk janë ndalur asnjëherë, pasi që edhe vet ai i ka ngjallur shpeshherë këto lajme.
Në një deklaratë të mëhershme, ai kishte treguar se kishte ëndërruar gjithmonë që të bëhet lojtar i Real Madridit, por kishte shtuar se do të jetë i lumtur edhe nëse qëndron në Chelsea deri në fund të karrierës. /Gazeta Express/


