Chelsea nuk e ka filluar me këmbë të mbarë mbrojtjen e titullit, dhe fajtori kryesor për këtë ishte portieri Thibaut Courtois.
Belgu u përjashtua me karton të kuq në fillim të pjesës së dytë duke i dhuruar skuadrës kundërshtare edhe një penalti, derisa Chelsea arriti të nxjerrë vetëm një barazim 2-2 ndaj Swansea Cityt në ndeshjen e parë të sezonit të ri të zhvilluar në Stamford Bridge.
Kampionët në fuqi të Ligës Premier e filluan ndeshjen duke dominuar në posedim dhe duke krijuar raste më të shpeshta,megjithatë ishte Swansea që kishte rastin më të mirë për të shënuar, me Bafetimbi Gomis që humbi nga afërsia.
Blutë kaluan në epërsi për të parën herë pas 23 minutash, pas një goditje të lirë të Oscar. Por mysafirët arritën të barazojnë shpejtë, kur pas disa goditjesh të mbrojtura, Andre Ayew çau portën e Thibaout Courtois (29’).
Megjithatë nuk vonoi dhe vetëm pas një minute tjetër kampionët rikthyen epërsinë, kësaj here falë një goditje të Willian që u devijua në gol nga mbrojtësi i Swansea, Federico Fernandez (30’).
Pjesa e dytë ishte një periudhë për t’u harruar për Blutë. Pas një harkimi nga largësia, Gomis u pengua në futje të zonës së rreptësisë nga portieri Courtois, i cili u përjashtua nga ndeshja me karton të kuq duke u dhuruar mysafirëve edhe një penalti. Gomis ishte i saktë nga pika e bardhë (54’).
Mysafirët më pas ishin më dominues në takim duke kërcënuar shpesh portën e portierit të dytë të Chelseat, Asmir Begovic.
Ndërkohë, të zgjedhurit e Mourinhos provuan të shënojnë në kundërsulme, por pavarësisht rasteve ndeshja më nuk solli gola.


