Ish-mesfushori legjendar francez, tani trajner i Monacos, Thierry Henry, është detyruar të kërkojë falje publikisht pasi e kishte quajtur “k*urvë” gjyshen e lojtarit të Strasbourgut, Kenny Lalas.
Skuadra e Henrys pësoi një disfatë turpëruese në fundjavë. Monaco humbi me rezultat 5-1 në shtëpi në ndeshjen kundër Strasbourgut, transmeton Gazeta Express.
Legjenda e Arsenalit nuk ishte aspak i lumtur me mënyrën se si po shkonte loja dhe disa herë gjatë ndeshjes lojtarët kundërshtarë u bënë viktimë e thirrjeve abuzive të tij, që nga vijat anësore.
“Është minuta e 43-të, gjyshja jote është k*rvë. Ai duhet të ndalet tani, mjafton me kaq”, kishte bërtitur Henry pak para se të përfundonte pjesa e parë e ndeshjes.
Megjithatë, Henry u kritikua mjaft shumë pasi që këto komente të tij u publikuan në rrjetet sociale. Për këtë arsye, ai doli në një konferencë për shtyp, ku e shfrytëzoi rastin të kërkonte falje për komentet e tij.
“Është një shprehje që përdoret në rrugë, fatkeqësisht. Unë pendohem për komentet që i bëra nga vija anësore e fushës. Ishte një reagim njerëzor, unë jam ende njeri. Pendohem për atë që bëra”, ka thënë Henry.
“Nganjëherë e bëj këtë gjë duke e përdorur gjuhën angleze. Ndoshta po ta kisha përdorur edhe këtë herë gjuhën angleze, nuk do të ishte vërejtur. Jo, po bëj shaka. Nuk duhet ta bëj në asnjë mënyrë këtë gjë”. /Gazeta Express/


