Trajneri spanjoll i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se përkundër që skuadra e tij është kampione në fuqi e Premierligës, ajo nuk mund të garojë kundër Barcelonës e Real Madridit në tregun për transferimin e lojtarëve.
Manchester City është interesuar për yllin 21-vjeçar të Ajaxit dhe Kombëtares së Holandës, Frenkie De Jong. Mirëpo, në garë për holandezin janë edhe disa klube të tjera evropiane, si Barcelona, Real Madridi dhe Paris Saint-Germaini, transmeton Gazeta Express.
Përderisa Guardiola nuk e përmendi emrin e De Jongut në intervistën e tij pas ndeshjes kundër Wolves, ai e pranoi se Manchester City do ta ketë të vështirë ta mposhtë Barcelonën e Real Madridin kur është fjala për transferimin e ndonjë lojtari.

“Nëse nuk je i vetmi klub i interesuar për një lojtar, atëherë nuk është aspak e lehtë. Por, nëse ti je i interesuar për një lojtar dhe shumë e shumë klube të tjera janë gjithashtu të interesuar për atë, atëherë situata komplikohet, veçanërisht nëse në garë është Real Madridi ose Barcelona”, ka thënë Guardiola.
“Natyrisht, kur ti je i përfshirë në një garë kundër Barcelonës dhe Real Madridit, do të humbasësh. Duhet të jesh më i shpejtë se ta, si dhe më efektiv. Por, unë nuk jam duke folur për rastin e lojtarit të Ajaxit”.
“Nuk po flas për të pasi që ai është pjesë e skuadrës së Ajaxit. Ka shumë lojtarë të tjerë, e jo vetëm ai, nëse kjo gjë nuk ndodh. Kur shpenzuam shumë para sezonin e kaluar, e bëmë sepse lojtarët ishin më të vjetër, 30 apo 31-vjeçarë”.
“Por, nuk mund ta bëjmë këtë gjë çdo sezon. Ne e kemi një limit dhe nuk mund të shpenzojmë më shumë sepse duhet të jemi të kujdesshëm me lojtarët dhe sezonin tjetër do të shikojmë se çfarë mund të përmirësojmë”. /Gazeta Express/


