Bayern Munich do t’ia shqiptojë një gjobë të rëndë Franck Riberyt, për shkak të sjelljes së tij të turpshme dhe të papërmbajtshme në rrjetet sociale, ka thënë drejtori sportiv i klubit, Hasan Salihamidzic.
Sulmuesi francez shkroi një varg shkrimesh tërbuese në Twitter dhe Instagram të shtunën, duke iu drejtuar atyre të cilët e kishin kritikuar për shkak se kishte ngrënë biftek të mbështjellë në ari, transmeton Gazeta Express.
“Pata një bisedë të gjatë me Franckun dhe ia bëra me dije se ne do t’ia shqiptojmë një gjobë të rëndë dhe ai e pranoi këtë”, tha Salihamidzic.
“Ai përdori fjalë që ne, Bayerni, nuk mund t’i pranojmë dhe të cilat as Francku nuk ka të drejtë t’i përdorë, si një lojtar shembullor dhe si lojtar i Bayernit”, shtoi ai.
Të enjten, 35-vjeçari i Bayern Munichut e postoi një video në rrjetet sociale ku shihej në restorantin e turkut të famshëm Salt Bae, duke i fërkuar duart para se ta hante një biftek të madh të mbuluar me ari.
Ky gjest mburravec luksoz dhe shuma e paguar për të, nxiti kritika të ashpra ndaj francezit.
“Lë të fillojmë me xhelozët, inatçinjtë dhe ata që natyrisht janë lindur falë prezervativit të pëlcitur. Ua bëfsha nënave, gjysheve dhe të gjithë trungut të familjes suaj”, pati shkruar Ribery në rrjetet sociale.
Salihamidzic e ka bërë të qartë se Ribery s’e ka paguar faturën e ushqimit, për shkak se kishte qenë i ftuar në restorant. Por, po ashtu ai e ka pranuar se Ribery kishte reaguar ndaj ofendimeve që kishte marrë, duke mos e arsyetuar sjellën e tij pasi e kishte humbur kontrollin.
“Franck është ofenduar. Jo vetëm ai, por edhe gruaja e tij shtatzënë, fëmija i tij, si dhe e ëma e cila është në spital për t’u operuar. Franck e ka mbrojtur veten dhe familjen. Ka të drejtë ta bëjë këtë dhe unë e përkrah, ama e ka humbur kontrollin”, shtoi ai. /Gazeta Express/


