Mbrojtësi i krahut të majtë të Manchester Unitedit, Luke Shaw, e ka lavdëruar trajnerin e tij të ri, Ole Gunnar Solskjaer, pasi që thotë se norvegjezi e ka kthyer atmosferën e mirë në klub me natyrën pozitive të tij.
Jose Mourinho u shkarkua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit më 18 dhjetor, në sezonin e tij të tretë me “Djajtë e kuq”, vetëm 48 orë pas disfatës me rezultat 3-1 kundër Liverpoolit, transmeton Gazeta Express.
Në vend të tij u emërua ish-sulmuesi legjendar i klubit, Solskjaer, i cili ishte edhe trajner i klubit norvegjez, Moldes. Ai u emërua në këtë pozitë përkohësisht, deri në maj të këtij viti, kur pritet të kthehet në Molde.
Manchester Unitedi është duke kërkuar gjatë kësaj kohe për një trajner tjetër, të cilin dëshirojë ta emërojë pas përfundimit të këtij sezoni. Emrat më të përfolur për këtë pozitë janë Mauricio Pochettino dhe Zinedine Zidane.
“Ole e ka një stil plotësisht ndryshe dhe ne jemi duke iu përshtatur stilit të tij dhe jemi duke e shijuar këtë gjë. Kjo është më e rëndësishmja. Ka një atmosferë të mrekullueshme në klub tani që është kthyer Ole dhe jemi të emocionuar për sfidat që i kemi përpara”, ka thënë Shaw.
“Ole është një djalë shumë pozitiv dhe i shoqërueshëm dhe e njeh këtë klub shumë mirë pasi që ka qenë këtu për shumë vite. Është një gjë kaq e madhe për të që është duke e kryer mirë punën e tij dhe po vazhdon t’i mbajë buzëqeshjet në fytyrat e tifozëve me fitore”. /Gazeta Express/


